Transmetuar më 18-02-2021, 11:33

Kryeministri Edi Rama i është kthyer sulmeve ndaj presidentit Ilir Meta. Duke folur nga Vlora, para nisjes së procesit të vaksinimit, shefi i qeverisë  tha se Meta ka kohë që nuk është më president dhe shpërdoron detyrën në favor të partisë që administrohet formalisht nga e shoqja.

“Presidenti ka kohë që nuk është më president, është thjesht një shpërdorues i funksionit të presidentit në favor të ndërmarrjes që administrohet formalisht nga e shoqja. Dhe e mirëkuptoj se pse vjen në Vlorë natën, fshehurazi, shkon lart e poshtë natën, shfaqet me makina pa protokollin përkatës, takon njerëz, por me sa duket, jo aq shumë dhe i duket e zbrazur Shqipëria, sepse shumë pak njerëz tani besojnë te LSI-ja. Sipas të gjitha gjasave zgjedhjet do të jenë një katastrofë për LSI-në”, tha Rama.

Një ditë më parë, presidenti Ilir Meta tha se situata e menaxhimit të Covid 19, po shkon drejt një katastrofe kombëtare dhe nuk ka asnjë masë efektive nga qeveria për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Përplasjet mes Ramës dhe Metës kanë nisur që prej shkëputjes së tyre nga koalicioni në qeveri në vitin 2017. Prej atëherë, mes tyre ka pasur akuza, sulme dhe polemika, deri dhe në fyerje personale.

Rama nuk e ka fshehur asnjëherë qëllimin e tij për të "shkrirë" siç ka thënë ai Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Madje për ta çuar për "skrap", siç ka pohuar edhe vetë, ka kërkuar edhe ndihmën e kryetarit të PD, Lulzim Basha. /e.a/noa.al/