Transmetuar më 18-02-2021, 10:40

Instituti për Shëndetin publik në Mal të Zi, mori konfirmimin nga laboratori gjerman i klinikës ‘Charite’ në Berlin, se në mostrat e dërguara atje, ishte identifikuar varianti britanik i Covid – 19.

Me një virus, i cili ka një përhapje shumë të lartë, sipas ekspertëve, gjatë ditëve të fundit është shtuar dukshëm numri i të infektuarve me ketë virus.

Mali i Zi, aktualisht renditet i pari në rajon me 1.376 të infektuar me koronavirus për 100.000 banorë.  Për shkak të situatës tejet të rëndë epidemiologjike dhe numrit të shtuar të të sëmurëve dhe viktimave, pas mbylljes së Budvës dhe Tivatit, me urdhër të institucioneve përkatëse, u mbyllën të gjitha objektet e hotelerisë në Nikshiq, Cetinjë, Podgoricë, Herceg Novi, Ulqin dhe Kotorr.

Ndërkohë që situata është tejet alarmante, e tërë vëmendja është e përqëndruar tek vaksinat. Të mërkurën (17.02) në Mal të Zi  mbërriti  kontigjenti i parë me vaksina kundër koronavirusit, të cilat janë dhuratë nga Serbia.

Por nëse varianti "anglez" është shfaqur zyrtarisht në Mal të Zi, nga ana tjetër, pak km më tej, në Kroaci, është konfirmuar rasti i parë me virusin "brazilian".

Mediat vendase bëjnë me dije se ekipi shkencor i Laboratorit për Gjenomikë të Avancuar në Institutin “Ruđer Bošković (RBI)”, i udhëhequr nga dr.sc. Oliver Vugrek, identifikoi praninë e një mutacioni të llojit "brazilian" në vendin ballkanik.

Nga një total prej 50 mostrash të analizuara, njëra konfirmoi një mutacion, i cili u përcaktua në llojin brazilian të koronavirusit, pra variantin B.1.1.28.

Këto mostra u mblodhën dhe u analizuan gjatë dhjetorit 2020 dhe janarit dhe shkurtit 2021.

Mostrat, thuhet se u mblodhën nga tri qytete kroate, Zagreb, Çakovec dhe Osijek dhe lloji "brazilian" u konfirmua në një mostër nga Zagrebi, që u testua më 30 janar 2021. /e.a/noa.al/