Transmetuar më 18-02-2021, 10:04

Telashe për sulmuesin e kombëtares shqiptare të futbollit, Rei Manaj. Futbollisti, i cili luan në Spanjë me Barcelonën B (Segunda Division), ka qenë protagonist mbrëmjen e djeshme, teksa ka shënuar dy gola në barazimin 2-2 ndaj Prat.

Por pas ndeshjes, ka marrë një lajm të keq, teksa në shtëpinë e tij ishin futur hajdutët, duke i shkaktuar një dëm tepër të madh ekonomik.

Lajmi u publikua nga menaxheri i VIP-ave, Xhani Demika, i cili nëpërmjet një postimi në faqen e “Instagramit”, bëri me dije se të riut nga Lushnja i janë grabitur 3 ora super të shtrenjta si dhe një vlerë prej 70 mijë euro cash.

“Sapo mora vesh një lajm super të shëmtuar, është thyer shtëpia e Rei Manajt në Spanjë. Një gjest shumë i ulët, shpresoj vëlla të gjendet sa më shpet, pasi dhe vlera nuk ishte e vogël. 3 ora super të shtrenjta dhe 70 mijë euro të vjedhura. Uroj të gjenden sa më shpejt vëllai”, shkruan Demika.

Në Spanjë, nuk është ndonjë gjë e re që hajdutët vjedhin shtëpitë e futbollistëve. Më parë, pre e tyre kanë rënë edhe emra si Ramos, Isko, Thomas Partey.

Para tre vjetësh, policia spanjolle arrestoi një bandë shqiptarësh, të akuzuar për vjedhje të banesave luksoze, ku dyshohet se kishin tentuar të hynin, por pa sukses edhe në vilën e trajnerit të Real Madridit, Zinedine Zidane. /e.a/noa.al/