
Një stuhi e rallë dimërore ka sjellë temperatura të acarta në të paktën gjysmën e territorit të Shteteve të Bashkuara, duke lënë 2.5 milionë banorë të Teksasit pa energji elektrike.
Dëbora dhe temperaturat e ulëta në nivel rekord vazhduan edhe të mërkurën në këtë shtet në kufi me Meksikën.
Moti i pazakontë ka shtuar tepër kërkesën për energji elektrike për ngrohjen e mjediseve të brendshme, duke mbingarkuar sistemin energjetik. Kjo rezultoi në ndërprerje të furnizimit me energji si pasojë e problemeve në rrjet.
Lina Hidalgo, gjykatësja e Komunës Harris, ku përfshihet edhe qyteti Hjuston, tha se disa nga ndërprerjet e energjisë janë shkaktuar nga moti dhe shumë prej tyre po riparohen.
Por ajo shtoi se shumë nga problemet në këtë shtet janë “fatkeqësi të shkaktuara nga njeriu”, si rezultat i problemeve në rrjetin elektrik që menaxhohet nga Këshilli për Energji të Qëndrueshme në Teksas.
Presidenti i këshillit ERCOT, Bill Magness tha se u përpoqën ta përgatisin sistemin për stuhinë, por kushtet e motit u keqësuan të martën dhe shumë centrale ndërprenë punën.
Disa politikanë në këtë shtet të njohur për objektet e prodhimit të naftës e gazit natyror, fajësuan energjinë e gjelbër për ndërprerjet, duke thënë se problemet u shkaktuan nga ngrirja e turbinave të erës.
Parashikimet meteorologjike flasin për vazhdimin e motit të acartë për të paktën disa ditë në Teksas dhe pjesën lindore të vendit. /e.a/noa.al/
Foto: Indipendent.co.uk
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





