Transmetuar më 17-02-2021, 19:58

Opozita e Bashkuar kërkon shtyrjen e afatit të kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike deri më 30 prill 2021, me qëllim që të votojnë të gjithë qytetarët.

Opozita ka dërguar sot një letër ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi, kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, kryetarit të KQZ, Ilirian Celibashi dhe për dijeni ambasadorëve të ShBA, BE, OSBE, ku dhe kërkon që kërkesa e tyre të merret në konsideratë.

Opozita e Bashkuar i kërkon ministrisë së Brendshme të marrë masa për shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit të shtetasve shqiptarë, deri më 30 Prill 2021.

Letra është e firmosur në emër të opozitës nga Gazment Bardhi.

Aty ngrihet shqetësimi për konstatimin e një numri të madh të shtetasve shqiptarë, të cilëve u ka përfunduar afati i vlefshmërisë së letërnjoftimit elektronik dhe pasaportës biometrike.

Opozita pretendon se shumë qytetarë janë në pamundësi si ajoekonomike për ta rinovuar atë.

“Sipas informacioneve zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile janë në total 1,062,000 shtetas të cilët rrezikojnë të mos votojnë në datën 25 Prill 2021 për shkak së dokumenti i tyre i identifikimit ka skaduar apo skadon deri ditën e zgjedhjeve”, – thuhet në letër.

Për shkak të natyrës urgjente ndërhyrja mund të bëhet me Akt Normativ, ku të parashikohet një dispozitë tranzitore në ligjin nr. 8952/2002, me përmbajtje si vijon: “Afati i vlefshmërisë së letërnjoftimeve elektronike të shtetasve shqiptarë, të cilat janë lëshuar nga data 9.2.2009 dhe që përfundojnë brenda datës 25 Prill 2021, zgjatet deri në datën 30 Prill 2021.”.

“Kjo masë nuk duhet të ndalë nxitjen tonë të përbashkët për shtetasit shqiptarë që të bëjnë rinovimin e dokumenteve të tyre të identifikimit”.

“Mirëpo për efekt të garantimit të së drejtës kushtetuese për të zgjedhur, shtyrja e afatit të vlefshmërisë është një masë proporcionale dhe e domosdoshme, që duhet të ndërmerret pa vonesa të mëtejshme në funksion të garantimit të një procesi zgjedhor të aksesueshëm nga çdo qytetar me të drejtë vote”, – thuhet në letrën drejtuar disa prej institucioneve kryesore. /a.m/NOA.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd