Biden i shkruan Vjosa Osmanit për 13-vjetorin e pavarësisë: Fokusi për njohje të ndërsjellë me Serbinë
Transmetuar më 16-02-2021, 17:06

Në prag të 13-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden i ka shkruar një letër Presidentes në detyrë, Vjosa Osmani.

Në letër, kreu i Shtëpisë së Bardhë nënvizon se ka ende shumë punë për të bërë deri në njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ka ende shumë punë për të bërë, përfshirë arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë e fokusuar në njohjen e ndërsjellë, që fuqizon sundimin të ligjit, përballjen me pandeminë dhe nxitjen e rritjes ekonomike që mundëson një të ardhme të begatë për të gjithë qytetarët e Kosovës”. Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten partner dhe mik i përkushtuar i Kosovës në këto përpjekje”, shkruhet në letër.

Biden nuk harron të përmendë se Kosova ka një vend të veçantë në familjen e tij.

“Ndërkaq për mua personalisht, Kosova vazhdon të mbajë një vend të veçantë për familjen Biden, në shenjë respekti të kohës gjatë së cilës djali ynë i ndjerë Beau Biden punoi për ta siguruar paqen, drejtësinë dhe shtetin e së drejtës për të gjithë qytetarët e Kosovës”, vijon letra. /k.k/noa.al/