Transmetuar më 16-02-2021, 12:39

Një vajzë nga Shqipëria, e cila bashkëjeton me një shtetas shqiptar të Kosovës, ka denoncuar në polici se ky i fundit ka tentuar ta shfrytëzojë për prostitucion.

Sipas mediave kosovare, e reja, ka mundur të ‘shpëtojë’ duke bërë denoncim në Policinë e Kosovës, për partnerin e saj, me këtë të fundit, që sipas kallëzimit, i ka çuar në banesë katër meshkuj të tjerë, që të kryente marrëdhënie intime në këmbim të parave.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, kjo ngjarje ka ndodhur të dielën rreth orës 16:00, në Fushë Kosovë.

Siç thuhet në raport, vajza ka deklaruar gjithashtu se i dyshuari, i ka marrë asaj florinj me vlerë 1400 euro dhe 2000 euro para cash, si dhe e ka sulmuar fizikisht disa herë.

“Viktima femër- shtetase e Shqipërisë, – ka raportuar se i dyshuari mashkull, me të cilin bashkëjeton në banesë, i kishte dërguar katër persona tjerë që të kryente marrëdhënie intime në këmbim të parave. Viktima kishte kundërshtuar dhe ishte larguar nga banesa. Po ashtu viktima, ka deklaruar se i dyshuari i kishte marrë një sasi të arit me vlerë prej 1400 euro dhe 2000 euro para cash, e ka sulmuar fizikisht disa herë dhe e kishte detyruar të kërkonte lëmoshë. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori”, – thuhet në raportin e policisë, sipas gazetës kosovare ‘Telegrafi’. /e.a/noa.al/