Transmetuar më 16-02-2021, 11:08

Ashtu siç ishte parashikuar, ka nisur këtë paradite fushata e vaksinimit të mjekëve, infermierëve dhe stafeve mbështetëse në Shkodër.

Në prani të kryeministrit Rama dhe ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, dozën e parë e ka marrë drejtori i spitalit Rajonal të Shkodrës, Ardian Dajti.

Janë 1000 mjekë dhe infermierë në Shkodër që pritet të marrin vaksinën anti-Covid, ‘Pfizer’. Procesi i vaksinimit po zhvillohet në ambientet e godinës së klubit sportiv Vllaznia.

Më pas, pritet që procesi i vaksinimit të nisë në Shtëpinë e të Moshuarve të këtij qyteti.

Ndërkohë, ditën e djeshme mbërriti në Rinas një sasi prej 7.020  doza me vaksina anti-Covid të kompanisë ‘Pfizer’.

Prej thuajse një muaji, fushata e vaksinimit ka nisur fillimisht në Tiranë, ku të parët e kanë marrë mjekët, infermierët dhe punonjësit shëndetësorë të spitaleve Covid.

Fushata e vaksinimit, pritet të zgjerohet ditën e sotme edhe në qytetin e Vlorës, ku të parët që do ta administrojnë, do të jenë personeli shëndetësor. /e.a/noa.al/