



Një sulm me raketa të hënën vonë, afër aeroportit të Irbilit dhe një baze pranë tij, ku ka trupa amerikane, shkaktoi vdekjen e një kontraktori civil të huaj dhe plagosjen e të paktën pesë personave të tjerë, thanë drejtues të koalicionit amerikan dhe zyrtarët në rajonin gjysmë-autonom të Kurdistanit në Irak.
Një pjesëtar i shërbimit amerikan, ishte mes pesë personave të plagosur në sulm, për të cilin mori përgjegjësinë një grup i quajtur Saraya Awliya al-Dam.
Sulmi i së hënës, ishte më vdekjeprurësi kundër forcave të drejtuara nga SHBA në Irak prej gati një viti. Tensionet janë përshkallëzuar midis milicëve që bashkëpunojnë me Iranin nga njëra anë dhe forcave amerikane dhe aleatëve të tyre irakianë dhe kurdë nga ana tjetër.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha në një deklaratë se Shtetet e Bashkuara ishin “të indinjuara” nga sulmi.
“U shprehim ngushëllimet familjarëve të kontraktorit të vrarë në sulm dhe irakianëve të pafajshëm dhe familjeve të tyre që po vuajnë nga këto akte mizore dhune”, thuhej në deklaratë.
Të hënën autoritetet thanë se rreth tre raketa ranë në një zonë midis aeroportit dhe bazës, duke shtuar se dy raketa të tjera goditën lagjet civile, duke plagosur disa njerëz dhe shkaktuar dëme materiale.
Zyrtarët e koalicionit, thanë se është e paqartë nëse baza ushtarake që strehonte trupat amerikane ishte në shënjestër të sulmit.
Megjithatë grupi Saraya Awliya al-Dam, tha se kishte në shënjestër bazën për shkak "të pushtimit amerikan" të Irakut.
Që kur Iraku deklaroi fitoren kundër ISIS-it, në fund të vitit 2017, koalicioni i udhëhequr nga SHBA-të është reduktuar në më pak se 3,500 ushtarë në total, ku 2,500 prej tyre janë amerikanë dhe shumica janë përqendruar në kompleksin ushtarak të aeroportit të Erbilit.
Që nga fundi i vitit 2019, vendet ushtarake dhe diplomatike perëndimore, janë shënjestruar nga dhjetëra raketa dhe bomba makinash që kanë rezultuar në vdekjen e personelit të huaj dhe atij irakian.
Erbili është vënë në shënjestër shumë rrallë, megjithëse forcat iraniane e sulmuan aeroportin në janar 2020, vetëm disa ditë pas vrasjes së gjeneralit Qasem Soleimani, ngjarje e ndodhur në aeroportin e Bagdadit.
Ish-presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, kishte kërcënuar, se vrasja e një shtetasi amerikan në një sulm të tillë raketash, do të shkaktonte një fushatë bombardimesh masive në Irak. /e.a/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





