Transmetuar më 15-02-2021, 18:34

Mbetet shqetësuese situata Covid në vendin tonë. Në 24 orët e fundit është vënë re një ulje e rasteve me koronavirus, megjithatë, nga 2 mijë e 698 testime janë regjistruar 775 janë raste të reja, si dhe kanë humbur jetën 12 pacientë.

Zv.ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli thotë se ndër faktorët e shtimit të rasteve pozitive, përveç mosrespektimit të masave, është edhe mosrespektimi i karantinës.

Rakacolli pranoi se ka persona të dyshuar që nuk presin të marrin përgjigjen, por dalin nga banesa, madje ata që e dinë që janë me Covid, pavarësisht këshillave, sërish dalin nga shtëpia.

E pyetur sesa të rrezikshëm janë personat që nuk respektojnë karantinën, ajo tha se është kjo një nga arsyet e shtimit të rasteve. Sipas Rakacollit janë shtruar ditët e fundit në spital edhe pacientë të rinj në moshë.

“Janë shumë të rrezikshëm dhe një nga arsyet e shtimit të rasteve është mosrespektimi i rregullave të higjienës, distancave, maskës dhe karantinimi i atyre që dyshohen për Covid” – u shpreh Rakacolli e ftuar në Report Tv.

“Nuk presin rezultatin e analizës dhe aq më keq ata që janë më Covid dhe dalin në ambient të hapur”.

“Nëse kjo vërtet vazhdon, do ketë rritje jo vetëm të moshat 45-55 vjeç, por edhe te më të rinjtë, që së fundmi janë raste të rënda fatkeqësisht. Ka ndryshuar situata. Kemi shtrime në repartet e kujdesit intensiv”.

“Kapacitetet spitalore nuk i kemi të mbushura tërësisht, por nëse afrohen drejt mbushjes, do fusim në funksion edhe spitalet rajonale”.

Por cila është situata aktualisht në spitale dhe nëse të katër spitalet Covid do të mbushen në kapacitetet maksimale, a ka një plan B?

“Janë mbushur 500 shtrime dhe ka filluar hapja e spitaleve rajonale me Durrësin dhe Shkodrën.

“Infrastruktura është e duhura, mjekët janë të trajnuar. Kemi vendosur linja të reja oksigjeni. Kemi marrë aparatura të reja. Mirëpo nuk do tu mungojë asistenca nga spitalet qendrore. Spitalet rajonale mbulojnë vetëm rajonet e tyre. Shkodra do mbajë të vetët dhe Durrësi të vetët dhe të shikojmë si do të menaxhohet”, tha Rakacolli.

Aktualisht në 4 spitalet COVID, po trajtohen 547 pacientë, 23 në terapi intensive nga të cilët 11 pacientë janë të intubuar.

/a.m/NOA.al