Transmetuar më 15-02-2021, 12:33

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka reaguar pas mbylljes së procesit të votimit në Kosovë, duke thënë se ishte një shembull i besimit te demokracia dhe vota e lirë.

Kreu i Shtetit, përmes një postimi në Facebook, shkruan se qytetarët e Kosovës morën pjesë masivisht në votime, pavarësisht motit të keq dhe pandemisë.

“Urime të gjithë qytetarëve dhe klasës politike të Kosovës për shembullin e shkëlqyer të besimit te demokracia dhe vota e lirë, si dhe për standardet e suksesshme të arritura në zgjedhjet e djeshme parlamentare. E përshëndes pjesëmarrjen e lartë të qytetarëve në votime, të cilët sfiduan kushtet e vështira atmosferike dhe pandeminë COVID-19, për të marrë në dorë fatet dhe për të vendosur të ardhmen e tyre. Kosova hapi një faqe të re në rrugëtimin e saj europian dhe konsolidimit të shtetit demokratik. Urojmë, që institucionet e reja, që do të formohen përmes bashkëpunimit, të udhëheqin me sukses shtetin e Kosovës për të fituar sfidat e të ardhmes”, shkruan Meta.

Edhe kryeministri Edi Rama, ka përshëndetur procesin zgjedhor në Kosovë, duke u ndalur pikërisht tek ato që ai i quan fitues të qartë, Lëvizjen Vetëvendosja.

Rama shkruan se uron që vullneti i popullit të Kosovës, të mishërohet në një kapitull të ri për Kosovën me qeveri të qëndrueshme, dialog dhe zhvillim ekonomik e social.

“Përshëndetje të gjitha forcave politike në Kosovë dhe posaçërisht fituesve të qartë të zgjedhjeve, LVV, me urimin që vullneti i popullit të Kosovës të mishërohet në një kapitull të ri për Kosovën,me qeveri të qëndrueshme, dialog konstruktiv ndërpartiak, zhvillim ekonomik&social”, – është komenti i kryeministrit Rama. /e.a/noa.al/