Transmetuar më 15-02-2021, 12:13

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tha se sot do të mbërrijnë në vend 7020 doza të tjera të vaksinës së ‘Pfizer’ kundër koronavriusit.

Nga foltorja e Kuvendit, Manastirliu tha se pandemia nuk ka ikur dhe se kapacitetet spitalore nuk janë të pafundme.

“7200 doza vaksinash vijnë sot nga kontrata me Pfizer. Siç lidhëm kontratën me Pfizer do të vijojmë me Covax, pra me dozat e AstraZeneca që janë dhe pritet të vijnë me përfundimin e procedurave të Covax dhe po punojmë gjithashtu për lidhjet e marrëveshjeve direkte me shtete partnere për të siguruar edhe më shumë doza vaksine,” u shpreh ajo.

Deri më tani janë vaksinuar 1200 mjekë dhe infermierë, nga të cilët 540 kanë marrë të dyja dozat. Në gati 1 muaj fushatë vaksinimi, janë administruar 1.229 doza nga rreth 2100 të tilla gjithsej.

Pas mbingarkesës së spitaleve Covid në Tiranë, Manastirliu më pas theksoi se do të nisë aktivizimi dhe i spitaleve rajonale.

"Sot do të hapen spitalet në Durrës dhe në Shkodër e për të vazhduar me Vlorën, Korçën dhe Elbasanin". /e.a/noa.al/