Transmetuar më 13-02-2021, 14:30

GJKKO nuk e ka ndryshuar masën e sigurisë për gjyqtaren e Krujës, Enkeleida Hoxha, duke e lënë në "arrest me burg".

Po ashtu, përveç vendimit për gjyqtaren 41-vjeçare, trupa gjykuese, ka lënë në burg edhe avokatin Aldo Tabaku dhe të arrestuarit e tjerë, me akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës.

Masa e sigurisë "arrest me burg", është dhënë për shtetasit; Manulea Mallkuçi, Shkëlqim Korbi, Saimir Petani, Bledar Petani, Altin Skenderaj, Gazmir Nezaj, Gentjan Nezaj dhe Isuf Tanuzi.

Ata u arrestuan në datën 11 shkurt 2021, pasi sipas SPAK, kishin organizuar “një skemë të mirëfilltë kriminale”, sipas së cilës, persona të dënuar që vuanin dënimin në burgun e Fushë Krujës përfitonin ulje dënimi kundrejt dhënies së përfitimit të parregullt“.

Ndërkohë, avokati i gjyqtares Hoxha, Ardian Visha, e quajti të padrejtë vendimin e masës së sigurisë.

“I duhet të kujdeset për fëmijët dhe babanë e sëmurë. Edhe pse është etiketuar si ‘armike e popullit’, është është një nënë e vetme që rrit fëmijët”, – tha ai.

Në fakt, gjyqtarja Hoxha, ka firmosur lirimin nga burgu të anëtarit të bandës së Durrësit, Endrit Dokle, i cili ishte dënuar me burgim të përjetshëm.

Po ashtu, ka firmosur edhe daljen nga qelia të Genc Tafilit, i dënuar për vrasjen e komisarit të policisë Arben Zylyftari, si dhe të Ilir Pajës, të cilit i kishte mbetur mbi një vit dënim.

Në dyert e Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit në Tiranë, procesin e ka ndjekur edhe babai i saj, i cili ka deklaruar se vajza e tij është kërcënuar për të dhënë disa vendime. Sipas Belul Hoxhës, gjyqtarja ka kërkuar prej 19 vjetësh transferim pikërisht për këtë arsye.

“Vajza ime Enkeleida bëri 19 vjet atje. Kush gjyqtar ka mbetur në detyrë 19 vjet".

I ati u shpreh se sasia e parave të gjetura në shtëpinë e gjykatësë është e justifikuar përmes dokumentave.

“Ajo nuk ka dorë. 19 mijë dollarë janë të firmës së ndërtimit dhe të mbarojë hallet e babait të saj me parkinson”. Ai shtoi se gjyqtarja ka edhe një djalë, i cili vuan nga autizmi dhe ka nevojë për kujdes.

Këtë të shtunë para ambienteve të GJKKO-së, ndodhej edhe vajza e mitur e Enkelejdës, e cila deklaroi se mamaja e saj ka qenë e detyruar për të liruar të dënuarit. /e.a/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd