Transmetuar më 12-02-2021, 11:06

Një fund i lumtur për tre kubanë, dy burra dhe një grua, të cilët për 33 ditë mbijetuan duke ngrënë arra kokosidhe minj, pas mbytjes së anijes në ishullin e shkretuar të arkipelagut të Bahamasit, Anguilla Cay.

Roja Bregdetare Amerikane, i ka shpëtuar ata gjatë një operacioni rutinë kontrolli. Të tre të mbijetuarit, u panë nga helikopteri, ndërsa u përpoqën të tërhiqnin vëmendjen, duke tundur një flamur të improvizuar.

Për shkak të kushteve të motit, grupi u shpëtua vetëm pas një dite të plotë. Ndërkohë, oficerët e Rojës Bregdetare iu hodhën ushqim, ujë dhe një radio të tre personave.

Më pas, tre kubanët, thanë se mbërritën në ishull, duke notuar, pasi anija e tyre u përmbys për shkak të detit të trazuar.

Sipas mediave amerikane, shpëtimi i të treve është një mrekulli e vërtetë. Përveç dehidrimit të rëndë, të mbijetuarit, të cilët tani ndodhen në spitalin Key West, janë në gjendje të mirë. /e.a/noa.al/