


Redon Meksi, djali i ish-kryeministrit Aleksandër Meksi, është gjobitur mbrëmjen e djeshme për shkelje të rregullave anti-Covid.
Lajmin e ka njoftuar vetë i riu, i cili shkruan në Facebook duke ironizuar se i kishte mbaruar letra higjenike dhe kishte dalë për të siguruar një të tillë, por në vend të saj, mori letrën e gjobës.
“Kaloi ora 20.00, kur ç’te shoh, më kishte mbaruar letra higjenike. Thashë po dal një herë vërdallë se do me japë ndonjëri… dhe në fakt ashtu ndodhi, më dha një polic këtë copën e letrës, – shkruan djali i ish-kryeministrit. – Përtej shakasë, nuk ka asnjë akt të botuar në fletore zyrtare për uljen orarit të shtetrrethimit në 20.00 dhe përveç kësaj, konstatohem në shkelje të urdhrit 616 dt 09.11.2020, i cili kufizon orarin 22.00-06.00.
ps: sorry per shkrimin, përveç se ishte fleta e dytë, kisha qenin në njërën dorë , i cili i ka pak bezdi uniformat “, shkruan ai.
Menjëherë pas hyrjes në fuqi të orës policore, mbrëmjen e djeshme, uniformat blu kanë dalë në terren duke ushtruar kontrolle në lidhje me respektimin e kufizimeve të reja.
Policia ka njoftuar se gjatë kontrolleve, janë gjobitur me nga 10 mijë lekë, 19 qytetarë që lëviznin jashtë orarit të lejuar pa autorizim dhe pa ndonjë arsye të domosdoshme.
Ndërkohë 48 drejtues mjetesh janë ndëshkuar me masën pezullim të lejes së qarkullimit. Policia i bën apel qytetarëve të respektojnë masat anti-COVID.
Kufizimi i lëvizjes prej orës 20:00, do të zgjasë deri në datën 25 shkurt, ndërsa më pas autoritetet shëndetësore kanë njoftuar se do merret vendimi për shtrëngim apo lirim të masave në varësi të situatës gjatë këtyre dy javëve. /e.a/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





