Transmetuar më 10-02-2021, 18:44

Drejtoresha e ISHP-së Albana Fico u shpreh se drama e vërtetë në vendin tonë janë numrat e lartë të të infektuarve dhe jo riinfektimet.

“Nëse do të riinfektohesh dhe je rast i zakonshëm je me ngarkesë virale më të dobët. Një person i riinfektuar që ka shenja të lehta ka një ngarkesë virale shumë herë më të vogël”.

“Rreziku ynë primar nuk janë riinfektimet. Numrat e të infektuarve janë drama e vërtetë, jo riinfetimet” tha ajo në studion e ABC.

Por sa të sigurt duhet të ndihen qytetarët që e kanë kaluar koronavirusin?

“Ne do të jemi të sigurt kur të kemi një imunizim të gjerë, të tufës, kjo është siguria”, tha Fico e cila shprehet se nga vaksina nuk duhet të presim çudira. – “Vaksina është një mjet, bar, i cili nuk bën gjë tjetër veçse parandalon riinfektimin dhe ose kur ka, ose nuk lejon të kalohet në forma të rënda. Vaksina si një mjet i vetëm nuk bën çudira, se këtë e kemi provuar edhe me vaksina të tjera, si të gripit dhe të thuash pasi e bën, nuk më zë më gripi. Vaksinat që po përdorim, akoma kemi për detyrë të provojmë efektshmërinë e tyre”.

Por me çfarë ritmesh po ecet me vaksinimin?

“Kjo është një sasi shumë e vogël për kapacitetet që kemi ne dhe përgatitjet që kemi bërë. Edhe me dozat e ardhura, 1 mijë e ca u janë dedikuar personave që punojnë në spitalet covid, takati ynë është shumë herë me i ndryshëm. Lufta po bëhet për të sjellë sa më shumë vaksina” – shtoi Fico e cila konfirmoi se javën që vjen, ditën e hënë do të vijë një tjetër furnizim nga “Pfizer” me doza. “Javës tjetër ditën e hënë vjen një pjesë e “Pfizer”, edhe COVAX ka publikuar sasinë, është me Astra Zeneca”-n.

Drejtoresha e ISHP kishte një opinion edhe mbi debatin që po bëhet për mos përdorimin e vaksinës Astra Zeneca te personat mbi 65-vjeç. “Nuk është cështja që nuk përdoret mbi 65 vjec, por shtete të caktuara thonë nuk kam studime të kënaqshme. Ka një element që kërkohet të jetë më i qartë”.

/a.m/NOA.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd