
Gjykata e Fierit ka rivlerësuar masën e sigurisë për tre të akuzuarit, Festim Alimetaj, Ferdinand Meraj dhe Fitim Zekaj, të dyshuar për vrasjen e 57-vjeçarit, Pelivan Sinarrapaj në Ballsh disa ditë më parë..
Festim Alimetaj nga “arrest shtëpie” në “arrest me burg”.
Ferdinand Meraj nga “arrest shtëpie” në “arrest me burg”.
Fitim Zekaj lihet me masën “detyrim paraqitje”.
Pak ditë më parë, gjyqtari Piro Sota, liroi nga burgu tre personat që dyshohet se goditën me shufër hekuri 57-vjeçarin, me pretendimin se bëhej fjalë për një sherr banal mes tyre dhe se provat nuk ishin të mjaftueshme për të ndëshkuar autorët.
Në datën 31 janar, ai vendosi ta quajë arrestimin e të dyshuarve, të paligjshëm dhe i liroi ata nga burgu, duke firmosur masa minimale sigurie.
Pasi Gjykata e Fierit i la të lirë, duke caktuar masa të lehta sigurie, siç ishin “arrest shtëpie” për Festim Alimerkajn dhe Ferdinand Merën, ndërsa për Fitim Zekajn “detyrim paraqitje”, Prokuroria e Fierit e apeloi vendimin, duke shfaqur pakënaqësi rreth tij.
Pas apelimit të organit të akuzës, Gjykata e Apelit Vlorë, ia riktheu çështjen për shqyrtim Gjykatës së Shkallës së Parë në Fier, duke kërkuar prej saj të jepet një masë tjetër vlerësimi.
Tashmë edhe akuza për të tre autorët ka ndryshuar nga vepra penale me “Plagosje e rëndë me dashje” e kryer në bashkëpunim, në “Plagosje e rëndë me dashje, me pasojë vdekjen”.
57-vjeçari Pelivan Sinarrapaj ndërroi jetë paraditen e së dielës. Më datë 28 janar ai u plagos rëndë pasi u rrah nga 3 shokë të tij.
Ai u dërgua në Spitalin e Traumës në Tiranë në gjendje të rëndë, por 9 ditë më vonë nuk ka mundur t’iu mbijetojë plagëve të marra.
Mbrëmjen e 29 janarit, Pelivan Sinorrapaj ishte ulur në lokalin e lagjes në Ballsh së bashku me tre shokët, Fitim Zekaj, Festim Alimetaj dhe Ferdinand Meraj.
Mësohet se sherri mes tyre kishte nisur brenda lokalit, teksa ata ndodheshin nën efektiv e alkoolit. Konflikti u zhvendos edhe jashtë, ku 57 vjeçari u qëllua me sende të forta dhe u la i gjakosur në mes të rrugës.
Dëshmitarët i thanë policisë, se sherri mes tyre kishte nisur për politikë. Ndërkohë djali i viktimës, Fatmir Sinorrapaj, në një deklaratë për mediat mohoi që sherri të ketë nisur për politikë.
Ai ka thënë se i ati kishte dalë për të blerë fruta dhe nuk ka qenë në gjendje të dehur. Sinorrapaj kërkoi që autorët të mbajnë përgjegjësi penale. /e.a/noa.al/
Foto: Viktima, Pelivan Sinorrapaj
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





