Transmetuar më 10-02-2021, 13:56

Infektimi nga koronavirusi nuk njeh moshë, por as lufta dhe mposhtja e tij nuk ka kufi moshe. Një murgeshë franceze është personi më i vjetër në Europë që i ka mbijetuar Covid 19, vetëm disa ditë para 117-vjetorit të lindjes.

Lucile Randon, e cila mori emrin Motër Andre në vitin 1944, doli pozitive me koronavirus në 16 janar, por nuk kishte asnjë simptomë.

Ajo u izolua veçmas nga banorët e tjerë në shtëpinë e të moshuarve në Toulon, në jug të Francës, por tani konsiderohet e rikuperuar plotësisht.

Motër Andre, e cila është e verbër dhe përdor një karrocë, është duke pritur të festojë ditëlindjen e saj të enjten (nesër).

Kur u pyet nga mediat franceze, nëse kishte frikë nga Covid, ajo tha: “Jo, nuk u frikësova, sepse nuk kisha frikë të vdisja”.

“Ajo ka qenë shumë me fat. Nuk më pyeti për shëndetin e saj, por për zakonet e përditshme. Për shembull, donte të dinte nëse oraret e vakteve ose gjumit do të ndryshonin”, – tha David Tavella, zëdhënësi i shtëpisë së të moshuarve ku jeton murgesha.

Motër Andre, lindi në 11 shkurt të vitit 1904. Përveçse është personi më i vjetër në Europë, ajo është gjithashtu njeriu i dytë më i vjetër në botë. /e.a/noa.al/