Transmetuar më 10-02-2021, 10:06

Deputeti Tom Doshi ka depozituar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesën për t’u regjistruar në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Kërkesa, është bërë me statusin e kryetarit të Partisë Social-Demokrate, PSD.

Kjo lëvizje, vjen vetëm pak ditë pasi ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim kujtoi vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit që e ka shpallur Doshin person "non grata", duke e futur kështu në listën e zezë të personave që u ndalohet hyrja në SHBA.

“Ndërsa autoritetet zgjedhore të Shqipërisë përgatisin zgjedhjet, ia vlen të kujtohet ky paralajmërim i bërë nga Sekretari i Shtetit në SHBA-së pas shqyrtimit të kujdesshëm të informacionit. Me siguri, votuesit e Shqipërisë meritojnë më shumë”, – shkruante në mesazhin e saj, ambasadorja Yuri Kim.

Tom Doshi, është kryetar i Partisë Social-Demokrate të Shqipërisë dhe vendimi për kandidimin ose mos kandidimin i takon atij.

Në vitin 2018 Departamenti Amerikan i Shtetit, e shpalli Doshin të papërshtatshëm për të hyrë në SHBA, për shkak se akuzohet për korrupsion.

Në vendimin e DASH thuhej: “Në bazë të ligjeve amerikane, kur Sekretari i Shtetit, ka informacione të besueshme se një zyrtar i huaj është përfshirë në raste madhore korrupsioni, ose shkelje të të drejtave të njeriut, atij dhe familjes së tij të ngushtë i ndalohet hyrja në Amerikë. Sekretari i Shtetit mund t’ia bëjë njoftimin zyrtarit privatisht ose në publik. Në bazë të njoftimit të sotëm, deputeti Doshi, bashkëshortja e tij Xhovana Doshi, vajza e madhe Briana Doshi, djali në moshë madhore James Doshi dhe fëmijët në moshë të mitur nuk lejohen të hyjnë në Amerikë”.

Javët e fundit ambasadorja Yuri Kim ka rritur presionin mbi partitë politike, duke u kërkuar të filtrojnë listat e kandidatëve për deputetë, në mënyrë që të shmangen personat me rekorde kriminale.

Pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama do t’i përgjigjej në këtë mënyrë: “Unë nuk kam nevojë të ma kujtojë ambasadorja amerikane punën dhe detyrën time ndaj ligjit, kam shumë respekt për ambasadoren amerikane”.

Sipas kreut të qeverisë, ligji është i qartë, "kush ka vepra penale për të cilat është dënuar, duhet të mos kandidojë për një funksion publik".

Ndërkohë që pas kësaj deklarate, Yuri Kim reagoi me një postim në Twitter: “Liderët e partive nuk duhet të pastrojnë listat e tyre thjesht sepse disa ambasadorë thanë kështu ose sepse e kanë bërë të qartë se korrupsioni është një përparësi. Ata duhet ta bëjnë atë, sepse kërkohet nga ligji shqiptar dhe që pritet nga një aleat i NATO-s dhe aspirant i BE-së dhe është një shenjë themelore e respektit për votuesit”, do të shprehej ambasadorja amerikane. /e.a/noa.al/