



Autoritetet e Antimafias, Antidrogës dhe të Financës italiane, kanë sekuestruar në portin Gioia Tauro të Reggio Calabrias, 1300 kg kokainë e cilësisë mjaft të pastër, me vlerë tregu 260 milionë euro.
Droga u identifikua në tre operacione të veçanta, të koordinuara nga Prokurori i Reggio Calabrias, Giovanni Bombardieri dhe nga ndihmësi i tij, Gaetano Paci.
Nëse trafikantët e drogës do të kishin rikuperuar kokainën, me cilësi shumë të pastër dhe nëse do të ishte prerë deri në katër herë, ajo do të kishte "përmbytur" sheshet e qyteteve të gjysmës së Evropës, duke i sjellë organizatës mafioze ‘Ndrangheta", të ardhura prej miliona eurosh.
Kokaina është identifikuar si pjesë e punës në luftën kundër trafikimit ndërkombëtar të drogës, të kryer nga agjencitë e anti-mafias dhe Zyra Doganore. Ajo u zbulua falë ndihmës së skanerëve të sofistikuar të Agjencisë Doganore.
Substanca ishte fshehur në tre kontejnerë. Dy nga këto, ishin të ngarkuara me kafe dhe mish të ngrirë dhe ishin nisur nga Brazili, ndërsa i treti, i ngarkuar me fruta ekzotike, erdhi nga Ekuadori. /e.a/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





