Transmetuar më 09-02-2021, 21:34

Qeveria shqiptare ka vendosur që të shpallë nesër më 10 shkurt një plan të ri kufizimesh më të thella që do ta çojnë vendin drejt një mbylljeje në të paktën gjysmën e çdo 24 orëshi.

Bizneset, si bare e restorante, markete dhe dyqane të tjera, siç raporton noa.al, kanë dy ditë që po marrin informacione kaotike nga forcat policore.

Ata tregojnë se janë njoftuar për mbyllje në orën 18.00 duke nisur nga kjo javë, por një njoftim tjetër flet për orën 20.00.

Sakaq, Komiteti Teknik i Ekspertëve që pritet të dalë nesër të kumtojë vendimin, ka në listë disa masa kufizuese.

Noa mëson se plani është për masa dyjavore që konsistojnë në mbyllje nga e hëna në të premte nga pasditja e deri në 6 të mëngjesit.

Kurse për të shtunën dhe të dielën është propozuar mbyllje e plotë për dy fundjava.

Veç ndalim qarkullimit, një tjetër plan është ndalimi i klientëve në mjediset e mbyllura të lokaleve dhe lënia hapur vetëm e mjediseve të jashtme të këtyre bizneseve si dhe shërbimi delivery.

Po ashtu, pritet të merret një vendim edhe për transportin urban. Është propozuar që për dy deri katër javë të ndërpritet lëvizja e urbanëve.

Mësohet se plani konsiston edhe në mundësinë e ndarjes së vendit sërish me zona të kuqe e të gjelbra. Nëse ndodh kjo, Tirana, Fieri, Durrësi, Elbasani, Shkodra e Vlora mund të shpallen zona të kuqe.

Sakaq dy javët në vazhdim pritet të bëjë mot i ftohtë me temperatura deri në -9 gradë Celsius në Shqipërinë e Mesme dhe më të ulëta në zonat malore.

Kjo situatë metereologjike ka nxitur propozimin tjetër që të mbyllen shkollat për dy javët e ardhshme. /noa.al/