Transmetuar më 09-02-2021, 12:13

Kryeministri Rama, e ka cilësuar një "lajm të mirë" arrestimin një ditë më parë të tre infermiereve dhe një sanitareje te "Shefqet Ndroqi", si bashkëpunëtore të punonjëses Tire Alldervishi në këtë spital, ku u zhvatnin paratë pacientëve përmes mashtrimit.

Rama tha se "ato tashmë janë arrestuar dhe uroj të mos dalin më nga burgu, sepse ajo formë barbare e mashtrimit, shkon përtej korrupsionit, pasi është një torturë çnjerëzore".

Shefi i qeverisë, është shprehur se ky është mesazh i qartë në radhë të parë për qytetarët, të cilët nuk duhet të ngurrojnë të denoncojnë në drejtimin që e shohin të arsyeshëm.

“Falënderoj mediat për rastet e bëra publike. Rastet e arrestimit te ‘Shefqet Ndroqi’ janë një lajm i mirë. Është një mesazh i qartë për të gjithë bluzat e bardha që janë një pakicë e vogël, por që janë të mjaftueshme për të ndotur rrugën e transformimit jo vetëm të kushteve, por dhe të performancës që vazhdon, – tha ai. – Është një mesazh i qartë për të ardhmen, pasi unë besoj që kura afatgjatë dhe e suksesshme për të adresuar plagën kanceroze të ryshfetit në sistemin shëndetësor, është thellimi i sistemit një reformë që ne e kemi nisur dhe jemi në kushtet që kemi një bazë solide për të hedhur hapin e madh të autonomisë spitalore dhe të motivimit të mëtejshëm në bazë të kartës së përformancës së tyre”, ka thënë Rama. /e.a/noa.al/