
Një haker në SHBA, mundi të futet në mënyrë të paligjshme në sistemin e një ujësjellësi në qytetin e Oldsmarit në Florida dhe u përpoq t’i shtonte kimikate helmuese, e njëjtë me sodën kaustike.
Hakeri, kishte arritur të rriste sasinë e hidroksidit të natriumit në ujë, por fatmirësisht një punëtor e kishte kuptuar veprimin dhe e kishte kthyer atë.
Një mbikëqyrës vuri re se kursori i tij në ekranin e kompjuterit filloi të lëvizte dhe mundi ta ndalonte veprimin në kohë.
Zyrtarët kanë shtuar kontrollet në sistemin e ujësjellësit dhe kanë vendosur masa mbrojtëse për të parandaluar një sulm tjetër kibernetik.
Hetuesit thanë se akoma nuk kanë mundur të zbulojnë nëse hakeri ishte vendas apo i huaj, ndërsa FBI së bashku me Shërbimin Sekret janë duke hetuar rastin.
Hidroksidi i natriumit përdoret për të trajtuar aciditetin e ujit, por në rast se ai përdoret në sasi të larta mund të shkaktojë probleme të mëdha. Përbërja gjendet edhe në sapunë dhe mund të shkaktojë acarim, djegie dhe komplikime të tjera.
Konsumi i tij mund të shkaktojë acarim të lëkurës dhe syve, së bashku me humbjen e përkohshme të flokëve.
Gëlltitja e tij mund të shkaktojë edhe dëmtim të gojës, fytit dhe stomakut dhe nëse është në shkallë të lartë, shkakton të vjella, të përziera dhe diarre.
"Unë nuk jam kimist, – tha Sherifi i Qarkut Pinellas, Bob Gualtieri, – por unë mund t’ju them atë që di: nëse vendosni një sasi të tillë substancash në ujë të pijshëm, sigurisht që nuk është diçka e mirë. Megjithatë, në asnjë moment nuk kishte një efekt të rëndësishëm negativ në ujin e trajtuar. Është e rëndësishme të nënvizohet se popullata nuk ka qenë kurrë në rrezik". /e.a/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





