Transmetuar më 09-02-2021, 09:59

Një 30-vjeçar shqiptar u arrestua me akuzën e posedimit të drogës me qëllim shitjeje. Mediat italiane, raportojnë se ai u ndalua në zonën industriale Vedano Olona në periferi të Varezes.

Duke parë se ai po udhëtonte në një zonë të izoluar, policia vendosi ta ndjekë në një distancë të sigurt, derisa të bindej për të thelluar kontrollet.

Ata e ndaluan automjetin dhe drejtuesi u përpoq të largohej me shpejtësi, por pa rezultat.

Ndërsa nisën të kontrollojnë makinën, agjentët zbuluan menjëherë tre çanta në bagazhin e saj.

Ata i hapën, duke i gjetur të mbushura me qese celofani, që përmbanin një pluhur të bardhë. Pas analizave në laborator, doli se ishte e llojit kokainë, e ndarë në pesëdhjetë pako, për një peshë totale prej mbi 55 kilogramë.

Por ajo që i befasoi hetuesit, ishte logoja e pakove, ku shkruhej "koronavirus": ishte shtypur në blloqe, me një karikaturë që përshkruante molekulën e virusit të rrezikshëm, që ka prekur gjithë botën prej një viti.

Ndërkohë, shoferi shqiptar, 30-vjeçar, u arrestua, ndërsa operacioni vazhdoi me një seri kërkimesh brenda shtëpive që dispononte i dyshuari, midis Venegono Superiore, Gornate Olona dhe Malnate.

Këtu iu gjetën 1,500 euro cash, të konsideruara si rezultat i aktivitetit të tregtimit të drogës dhe 4 gramë marijuanë.

Shqiptari u dërgua në burgun Miogni në Vareze, në pritje të marrjes në pyetje nga prokurorët, të cilët dyshojnë se shqiptari është një korrier i drogës dhe shkoi në zonën industriale për një takim me një "klient" të cilit mund t’ia shiste lëndën narkotike. /e.a/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd