
Në një kohë që shifrat e infektimeve me Covid 19 kanë njohur rritje ditët e fundit në të gjithë vendin, në Shkodër janë konfirmuar dy rastet e para të ri-infektimit.
Sipas drejtuesve të Shëndetit Publik, bëhet me dije se kemi të bëjmë me dy qytetarë që e kishin kaluar virusin 6 muaj më parë dhe janë zbuluar sërish bartës të tij, pasi kanë kryer tamponin.
Ato kanë shfaqur shenja të sëmundjes dhe prandaj kanë kërkuar ndihmën e epidemiologëve, ku pas testit është konstatuar ky fakt.
Pacientet në fjalë po mbahen nën kontroll dhe aktualisht nuk paraqesin komplikacione të rënda, shkruan ‘Ora news’.
Dyshimet janë se virusi është marrë nga kontakti me persona të tjerë të infektuar.
Në 24 orët e fundit, nga Spitali Rajonal i Shkodrës, janë trajtuar 82 raste urgjente, prej të cilave 20 raste të dyshuara për COVID 19. Shkodra pati 13 raste të reja dje, 11 Bashkia Shkodër dhe dy Vau i Dejës.
Prej nisjes së pandemisë, në Bashkinë Shkodër, janë zbuluar 3.434 persona të infektuar, ndërsa në bashkinë Vau Dejës 210.
Aktualisht numri i personave pozitivë aktiv është: Bashkia Shkodër 475, Bashkia Vau Dejës 54. Numri i të shëruarve në Bashkinë Shkodër është 2.864, ndërsa në Bashkinë Vau Dejës 157.
Në një konferencë për mediat, kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, deklaruan se ka të dhëna që mutacionet e koronavirusit mund të kenë mbërritur tashmë në Shqipëri.
Manastirliu deklaroi se janë disa faktorë që po i shtynë ekspertët e shëndetit të besojnë se mutacionet e Covid ekzistojnë në vend.
Ajo listoi si indcicie, qarkullimin e madh të virusit tek të rinjtë si dhe rastet e ri-infektimeve që po ndodhin.
“Kemi dyshime se në Shqipëri janë futur variantet e reja të Covid-19. Kemi marrë disa mostra, sigurisht nën ecurinë e ekspertëve, nën indicjen e tyre, bazuar në detaje të simptomave dhe i kemi dërguar në laboratorë të posaçëm. Po çojmë monstra në Berlin për të verifikuar dhe vërtetuar nëse këto dyshime do të rezultojnë të vërteta. Rritja ka edhe shkaqe të tjera që lidhen me moszbatimin e masave. Po presim përgjigjet e analizave, por dyshojmë se në vendin tonë kanë hyrë variantet e Covid-19”, u shpreh Manastirliu. /e.a/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





