Transmetuar më 06-02-2021, 20:16

Janë zbardhur detaje për ekzekutimin e 40-vjeçarit Gentian Qarri në Vlorë.  Mësohet se autori e ka qëlluar në gjoks viktimën dhe ai ka ndërruar jetë sapo ka mbërritur në spital.

Dyshohet se 40-vjeçari është qëlluar me armë zjarri tip kallashnikov.

Qarri, i njohur me pseudonimin "Geçe", ka qenë i dënuar më herët në Itali ku ka kryer rreth 11 vite burg.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 18:16, në lagjen “29 Nëntori”, në afërsi të Bibliotekës të qytetit.

Viktima ishte duke ecur në këmbë ndërkohë që nga një automjet është qëlluar me breshëri plumbash, mbi 20 herë duke e lënë fillimisht të plagosur.

Autorët dyshohet se janë larguar në drejtim të Pyllit të Sodës, ku është gjetur një makinë e djegur tip "Toyota Yaris" që dyshohet se është e tyre.

Brenda automjetit është gjetur edhe një kallashnikov tip "Sharrs" që mendohet se me të mund të jetë përdorur në krim.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur gëzhoja plumbash, ku pritet të bëhet ekspertiza nëse i përkasin kallashnikovit të gjendur brenda makinës së djegur.

Autorët mendohet se ishin dy dhe kanë qenë të kamufluar. Ata mbanin maskë, duke përfituar edhe nga situata e pandemisë, nuk kanë krijuar dyshime.

Gentjan Qarri kishte 3 vite që kishte përfunduar dënimin dhe ishte kthyer në Vlorë, ku ishte martuar dhe punonte si hidraulik.

Për shkak të dënimit me drogë pista e hetimit është përqendruar tek larja e hesapeve.

Janë ngritur postblloqe në hyrje daljet e qytetit, për të bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorëve.

/a.m/NOA.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd