Transmetuar më 05-02-2021, 00:12

Nga Edison Kurani

Edi Rama është maturuar si kryeministër dhe e bën punën me seriozitet. Këtë vlerësim e bën Fatos Nano, njeriu i cili ka derdhur lumë akuzash ndaj Ramës dhe epitete nga më fyese, sidomos në dy raste, kur Rama i mori partinë dhe kur donte të bëhej president.

Dalja e sotme e Nanos u duk më shumë të ishte një PR për Rilindjen dhe Ramën dhe dukej po ashtu si një sforcim për të rehabilituar Ramën pasi e kishte anatemuar qindra herë.

Kjo qasje sot e Nanos solli reagime të shumta që noa.al po i rendit në forumin e mëposhtëm.

Nga Qeveria, ishte numri dy i saj  mori direkt në mbrojtje Nanon. Erion Braçe doli me deklaratë publike duke thënë se Nano në intervistën e tij tregoi se ishte i kthjellët, qytetar, i vërtetë dhe i drejtë.

Por ndryshe mendojnë gazetarët. Më së shumti, ata në reagimet e tyre e quajnë këtë thurje lavdesh të Nanos ndaj Ramës, si nevojë për para.

Ja si e përkufizon Klodian Tomorri, gazetar i njohur televiziv:

"Intervista e Nanos 1- Rama ka ekipin më të mirë që përputh vizionin e tij me ligjin. 2- Rama ka dhënë një produkt shumë pozitiv për Shqipërinë. 3- Oligarket në Shqipëri jane shpikje mediatike. 4- Problemi më i madh i korrupsionit në Shqipëri është fakti se ca biznese paguajnë rroga për specialistët e niveleve të dyta të administratës."

Pasi evidenton pjesë nga intervista, Tomorri shtron pyetjen: "Ka ngelur gjë pa lekë ky rreziku që e paska lëshuar kaq veten?"

Edhe Egla Bardhi, gazetare, ka të njëjtin mendim, ndërsa gazetarja dhe moderatorja Juli Xhokaxhi, vlerëson se intervista ishte si një "shërbim për dëmshpërblim".

Gazetari dhe analisti Basir Çollaku thotë se Nano bëhet fatos, sa herë ia do puna dhe shton:

"Nano është ekonomist dhe kur flet në një qendër biznesi, mos prisni të nxjerrë fjalë që ua ka prerë kostumin para se ti thotë… Ky është turizëm financiar në sezonin e fundit sepse Nano nuk e voton as vetë".

Bardhi Quku nga ana tjetër pohon se riciklimi që po i bëhet këtyre politikanëve është i papranueshëm: "Në 1998 kur Nano ishte kryeministër tha se Shqipëria është afër greminës, ta çojmë një hap para. Sot ia paska sugjeruar dhe Ramës.

Ky makiazhi prej babaxhani që kërkon t’u japë Fevziu banditëve politikë që nga Berisha, Rama dhe së fundmi Fatos Nano është një lloj riciklimi i xhaketave të vjetra që e kanë shqyer Shqipërinë në të gjitha anët në 30 vite".

Kurse publicisti Ylli Dylgjeri që dikur ka punuar në kabinetin e Nanos, është edhe më i ashpër në komentin që lexoni më poshtë:

"Shënime për shkrim për intervistë në Opinion:

Titulli: Kur rakia takon drogën…

Metamorfoza e një lideri…nga intelektual, në politikan, dhe në fund servil… -Sa e ka faturën e avokatisë z. N? -Përse N… pas 16 vitesh ekzil, pensionist europian, që shijon biznesin e gruas, shfaqet i dashuruar me thonjpalarin që e solli ashtu zhul nga Parisi dhe na e bëri kryetar të Partise Sicialiste??? Rama dhe N… patën jetëgjatësi si Kryeministra pasi i lanë gratë e para dhe morën gra të tjera. – Sigurisht për N…nuk është turp darka e Nustretit krahasuar me zdërhalljen në buzuqet e Greqisë. – Rrofsh o Robert Çamçakizi… Kështu është kur vjen vërdallë pa punë, lëpin çdo gjë tjetër. I zgjuar Rama që ta ka ngjitur këtë epitet… Faleminderit N… që i binde të gjithë shqiptarët se çfarë ordineri ke qenë dhe mbetesh".