
Futbollisti shqiptar, Elseid Hysaj ishte titullar, por në një rol të ri, në sfidën e parë të Napolit ndaj Atalantës (0-0) në Kupën e Italisë.
Mbrojtësi i kombëtares, u vendos nga Gatuzo në krahun e majtë të mesfushës, në rreshtimin 3-4-3. Pas ndeshjes së zhvilluar në stadiumin “Maradona”, shkodrani deklaroi:
“Nuk ishte e vështirë të përshtatesha në modulin e ri, na ka ndihmuar shumë në fazën mbrojtëse. Gattuzo na ka kërkuar të luajmë me më shumë vendosmëri. Jemi një grup i madh, po provojmë të japim maksimumin. Rezultati 0-0 është i pranueshëm kur janë dy ndeshje. Do të kishte qenë me keq, nëse do ta humbnim. Kthehemi në shtëpi, duke menduar se duhet të bëjmë më mirë në ndeshjen e kthimit”.
Sigurisht që nuk mund të mungonte pyetja për të ardhmen e Hysajt, pasi kontrata i përfundon në fund të sezonit.
“Do ta respektojmë kontratën time, do të jap maksimumin për skuadrën deri në fund. Pastaj, kur të jetë momenti për të folur, do të flasim. Jam këtu prej shumë vitesh, nuk mendoj për atë që do të vijë më pas. Jam shumë i përqendruar te skuadra. Moduli ishte zgjedhje e trajnerit ne thjesht duhet ta aplikojmë sa më mirë të jetë e mundur". /e.a/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





