Transmetuar më 04-02-2021, 12:28

Kryetari i Parlamentit të Turqisë, Mustafa Sentop, ka nisur një vizitë zyrtare në Tiranë. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun shqiptar, Gramoz Ruçi, kryeparlamentari turk nuk la pa përmendur edhe organizatën "Feto", sipas tij terroriste dhe prezente në Shqipëri.

"Gjatë takimit që pata me zotin kryetar, unë i fola edhe për aktivitetin e organizatës terroriste “Feto”, e cila ndërmori aktivitetin për grusht shteti në vendin tonë më 15 Korrik 2016. Ashtu si në vende të ndryshme të Ballkanit, organizata "Feto" është prezente edhe në Shqipëri, – tha Sentop. – Kjo organizatë nuk u kursye, por arriti deri aty sa bombardoi me avionë Parlamentin e Turqisë kur ishte në seancë plenare. Në Turqi kjo organizatë është eliminuar në masë të konsiderueshme, por nuk është vetëm Turqia objektiv i kësaj organizate terroriste, tinëzare. Ky grup terrorist ka realizuar objektivat e tij, duke u maskuar pas institucioneve arsimore, në shëndetësi, në media edhe në shoqata apo organizata të ndryshme".

Ai theksoi po ashtu se, "ne nuk do të lejojmë që kjo organizatë të helmojë marrëdhëniet mes dy vendeve tona”.

Nga ana e tij, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, u shpreh se Shqipëria dhe Turqia janë partnerë të besueshëm në NATO.

Kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, Mustafa Sentop, do të zhvillojë sot dhe nesër takime me krerët politikë në Shqipëri.

Kryeparlamentari turk dhe delegacioni i tij, do të priten po ashtu edhe nga  presidenti Ilir Meta dhe do të takohen edhe me kryeministrin Edi Rama. /e.a/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd