
Historia e një të pastrehu të pasur, i cili ka vdekur ditët e fundit nga i ftohti, ka zënë faqet e para të shtypit italian.
Atë e gjetën të pajetë nën një grumbull çarçafësh dhe kartonësh, në një kasolle, që ndoshta atij i dukej si një shtëpi e vërtetë.
Strehën e tij për natën, Umberto Quintino Diaco, 75 vjeç, e kishte ngritur në një vend larg qytetit të Milanos, në stacionin Porta Garibaldi.
Megjithatë ai mund të ishte gjallë sot e kësaj dite: në llogaritë e tij bankare, burri kishte më shumë se 100 mijë euro, 19 mijë euro aksione dhe një pension, në Mynih në Gjermani, me 750 euro në muaj.
Gazeta "Corriere della Sera" tregon historinë e të pastrehut të pasur. I moshuari, zotëronte gjithashtu një shtëpi në Kalabri dhe dy furgonë të regjistruar, me siguracion të paguar.
Ai kishte me vete 1.235 euro para cash. Për familjen e tij, ai kishte vendosur të bëhej një "fantazmë", përgjithmonë.
Diaco lindi në 5 maj 1945 në Paludi, në shpatet e Sila-s. Ai u largua andej kur ishte vetëm 17 vjeç. Pasi u largua nga shtëpia, sipas motrës së tij, Chiarina, ai vendosi t’i kthente shpinën familjes dhe të zhdukej përgjithmonë.
"Ne e kërkuam atë, ai kurrë nuk donte që ta gjenim".
Agjentët gjetën gjurmë të parave dhe letrave me vlerë në kutinë e zyrës postare në ‘Sam’, shërbimi i pritjes për të pastrehët dhe njerëzit në nevojë në Milano (Caritas), raporton Noa.al, duke cituar median italiane, "Tgcom".
Kartonët ishin e vetmja gjë, që 75-vjeçari kishte kërkuar, pavarësisht kërkesave të ngutshme nga operatorët për të qenë në gjendje ta ndihmonin atë. /e.a/noa.al/
Foto: Google
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





