Transmetuar më 04-02-2021, 07:37

Të mërkurën qeveria kanadeze shpalli grupin “Proud Boys” (Djemtë Krenarë) organizatë terroriste, duke vënë në dukje se ata luajtën një rol kryesor në protestat e dhunshme që përfshinë Kongresin Amerikan më 6 janar. Pas kësaj ngjarjeje “Djemtë Krenarë” ndodhen nën mbikëqyrje të rritur nga ana e autoriteteve.

“Proud Boys” janë një grup ekstremist, burrash shovinistë të ekstremit të djathtë, të njohur për përfshirje në përplasje të dhunshme gjatë tubimeve politike. Kanadaja është vendi i parë që i përcakton ata si grup terrorist.

Gjatë debatit mes kandidatëve për president në shtator të 2020, Donald Trump i nxiti ata të "tërhiqeshin e të qëndronin në gatishmëri", ndërsa iu kërkua t’i dënonte ata nga drejtuesi i debatit.

Gjatë një konference, zyrtarë të lartë thanë se autoritetet i kishin vëzhguar dhe kishin mbledhur prova në lidhje me grupin “Proud Boys” para rebelimit në Kapitol, por konfirmuan se ngjarja dha informacione që ndihmuan në vendimin për përcaktimin e organizatës si terroriste.

Ministri i Sigurisë Publike Bill Blair tha se ata u vetë-zbuluan. "Qëllimi i tyre dhe përshkallëzimi drejt dhunës u bënë mjaft të qarta", tha Bler.

Përcaktimi si grup terrorist mund të çojë në sekuestrimin e pasurive të organizatës si dhe përballjen me ndëshkime më të ashpra lidhur me akte terroriste.

Një zyrtar qeveritar tha se thjesht fakti që dikush është anëtar i grupit, nuk do të thotë se ndaj tij do të ngrihen akuza, por përfshirja në veprime të dhunshme do t’i përballë anëtarët e saj me akuza për vepra penale të lidhura me terrorizmin.

Krim do të konsiderohet edhe dërgimi i parave në funksion të organizatës apo blerja e objekteve dhe simboleve të “Djemve Krenarë”.

"Grupi dhe anëtarët e tij kanë inkurajuar, planifikuar dhe kryer aktivitete të dhunshme ndaj atyre që ata perceptojnë se janë kundër ideologjisë dhe bindjeve të tyre politike", thuhej në një material informues të qeverisë kanadeze.

“Grupi merr pjesë rregullisht si kundër-protestues, në demonstratat e lëvizjes Black Lives Matter (BLM), shpesh duke u përfshirë në dhunë, e cila ka si subjekt mbështetësit e BLM-së. Më 6 janar 2021 “Djemtë Krenarë” luajtën një rol kryesor në trazirat që përfshinë Kapitolin”.

Qeveria i quan “Djemtë Krenarë”, një organizatë neofashiste me divizione gjysmëautonome që operojnë në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe ndërkombëtarisht.

Sipas saj ata përfshihet në dhunë politike dhe anëtarët mbështesin ideologji paragjykuese ndaj grave, islamofobe, anti-semitike, anti-emigrantëve dhe supremacistëve të bardhë.

“Djemtë Krenarë” u formuan në 2016 nga kanadezi Gavin McInnes, i cili është edhe bashkëthemelues i kompanisë mediatike amerikano-kanadeze, ‘Vice’. /VOA/

Foto: Google

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd