
Ekspertët nga Organizata Botërore e Shëndetësisë hynë në Institutin e Virologjisë në Wuhan si pjesë e hetimit për origjinën e koronavirusit në rajonin qendror të Kinës.
Instituti ka disa laboratorë të sigurisë së lartë, ku studiuesit po punojnë përzbulimin e koronavirusëve prej vitesh.
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ka akuzuar vazhdimisht institutin për përhapjen e virusit që shkaktoi pandeminë globale.
Ekipi ka pasur akses në "të dhëna të papara më parë", që mund të "çonin diku" në hulumtimin e origjinës së Sars-CoV2, tha anëtari i grupit, Dr.Peter Daszak.
"Ne po shohim informacione të reja dhe kjo është e mirë, janë gjëra shumë të vlefshme që kanë filluar të na ndihmojnë të shohim në drejtimin e duhur".
Ditët e fundit, ekipi vizitoi Qendrën për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në rajonin qendror të Hubeit, ku shpërthimi u shfaq në fund të vitit 2019.
Grupi i ekspertëve të pavarur, kaloi më shumë se 4 orë, duke zhvilluar "diskutime të shkëlqyera. Ne vazhdojmë të bëjmë pyetje, ne vazhdojmë të bëjmë presion për më shumë të dhëna ", komentoi të hënën në Gjenevë, Mike Ryan, funksionar i lartë i OBSH-së për emergjencat botërore.
Pekini është përpjekur të vërë në dyshim idenë, që virusi ka origjinën në Kinë, duke treguar ushqimin e ngrirë të importuar, si një mjet të mundshëm.
Hipoteza u shfaq përsëri të dielën në "Global Times", ditën që ekspertët e OBSH-së vizituan tregun e peshkut Huanan, të lidhur me infeksionet fillestare dhe tregun me shumicë të ushqimit në Baishazhou, ku një altoparlant, në mënyrë të përsëritur, njoftonte se shitja e produkteve të ngrira të importuara, ishte e ndaluar për tregtarët. /e.a/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





