Transmetuar më 03-02-2021, 10:37

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, programin e saposhpallur për shëndetësinë, e ndau me përfaqësues të Urdhrit të Farmacistit dhe me pacientë gjatë një takimi të zhvilluar në Tiranë.

Basha u sqaroi farmacistëve dhe pacientëve detajet e programit "Shqipëria Fiton" dhe u angazhua se do të ndryshojë situatën e rëndë të tregut të ilaçeve në Shqipëri dhe trajtimin e pacientëve në këtë drejtim. Ai iu detajoi atyre pikat kryesore të planit.

"I gjithë programi ynë për shëndetësinë, ka në qendër pacientin, paraja ndjek pacientin. Kjo do të thotë që rimbursimi i barnave do të bëhet në bazë të diagnozës, në mënyrë që asnjë pacient që ka nevojë për një ilaç të veçantë, të mos mbetet pa e marrë këtë mjekim", – tha ai.

Basha sqaroi edhe çështjen e "kartës së pacientit" që do të ndryshojë mënyrën e përzgjedhjes së mjekut, spitalit apo edhe ilaçit që i duhet pacientit.

"Karta e pacientit do të mundësojë që pacienti të zgjedhë, te cili mjek familje do të shkojë, te cili specialist do të shkojë ,te cili spital do të shkojë dhe detyra e shtetit është të sigurojë që sistemi i sigurimeve shëndetësore të funksionojë dhe të marrin rimbursimin e duhur ndërkohë që zgjedhjen e kanë ata në dorë", – u shpreh kryedemokrati. /e.a/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd