Transmetuar më 02-02-2021, 22:14
Foto ilustruese

Shumë të burgosur në Shqipëri, duke nisur nga viti në vazhdim, përfitojnë 20 ditë liri çdo vit nëse plotësojnë disa kritere që ka përcaktuar Ministria e Drejtësisë.

Kjo ministri ka hartuar një udhëzim të ri që parashikon procedurat e lejeve të veçanta dhe atyre shpërblyese për më shumë se 6 mijë të dënuar në 24 burgje në të gjithë Republikën e Shqipërisë.

Udhëzimi i ri është botuar  në Fletoren Zyrtare dhe ka hyrë në fuqi. Ai përcakton qartë 17 kriteret e përfitimit të këtyre lejeve.

Që një i burgosur të gëzojë të drejtën e 20 ditëve leje në vit, duhet mbi të gjitha të ketë sjellje të mirë.

Pjesëmarrja apo organizimi i rebelimeve në burgje i përjashton nga ky benefit.

Pjesa e mbetur e dënimit është një tjetër faktor në avantazh të 20 ditëve liri vjetore.

Edhe gjendja ekonomike e ajo sociale e familjes së të burgosurit po ashtu ndikon më dhënien e kësaj lejeje.

Përfaqësuesit e zyrave ligjore dhe të sigurisë si dhe punonjësit socialë, përgatisin raporte për çdo të burgosur dhe ato konsiderohen faktorë vendimtarë për lejen vjetore.

Kujdes duhet bërë jo vetëm në sjellje, por edhe që gjatë vitit kalendarik që aplikohet për leje 20 ditore, i burgosuri të mos ketë paraqitur rrezikshmëri të veçantë shoqërore.

Ndër kriteret përjashtuese është dhe dhënia e deklarimeve të rreme. Komisioni përgjegjës nuk do të japë leje edhe për ata të burgosur të cilët mashtrojnë sa i përket gjendjes së tyre shëndetësore apo dhe nuk kanë mbajtur higjienën personale.

UDHËZIMI I PLOTË

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd