Transmetuar më 02-02-2021, 15:36

"Unë kërkoj lirimin tim të menjëhershëm dhe për të gjithë të burgosurit politikë: ky teatër, është i paligjshëm".

Aleksei Navalni i ka dhënë këto deklarata gjatë seancës dëgjimore kundër tij në një sallë gjyqi në Rusi. Gjykata e Moskës, duhet të vendosë, nëse do ta zbutë dënimin me kusht, me një dënim real, 3 vjet e 6 muaj burg për opozitarin rus.

Në sallën e gjyqit, kundërshtari dhe opozitari i presidentit rus, sulmoi edhe Vladimir Putinin: "Ai do të hyjë në histori si helmues. Në hetim, kemi treguar se ishte ai që e kreu sulmin ndaj meje".

Navalni, i tha gjykatës se prapa burgimit të tij, qëndrojnë "urrejtja dhe frika" e presidentit rus Putin.

Navalni theksoi se Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, ka vendosur që dënimi i tij i vitit 2014, ishte i paligjshëm dhe Rusia i pagoi atij kompensim në përputhje me vendimin.

"Qëllimi i këtij gjyqi, është të frikësojë një numër të madh njerëzish", tha Navalni duke shtuar se, "ata burgosin një njeri për të trembur miliona të tjerë".

Seanca dëgjimore po mbahet në kohën kur zemërimi ndërkombëtar për ndalimin e tij është në rritje dhe pasi dhjetëra-mijëra rusë protestuan në dy fundjavat e kaluara.

Këto ishin protestat më të mëdha kundër presidentit, Vladimir Putin, gjatë një dekade.

Aktivisti kundër korrupsionit, Aleksei Navalni, është i pranishëm në gjykatë, ndryshe nga herët e tjera, kur ai u shfaq përmes video-lidhjes nga një qendër paraburgimi.

Para se të fillonin procedurat, ai lavdëroi Julian, gruan e tij, e cila ishte e pranishme. Një ditë më parë, ajo ishte gjobitur për pjesëmarrje në një protestë kundër burgosjes së tij.

Kritiku i Kremlinit, Aleksei Navalny u arrestua më 17 janar, pasi arriti në Rusi nga Gjermania, ku ishte trajtuar për disa muaj, pas helmimit në gushtin e kaluar.

Navalni thotë se, pas këtij helmimi, qëndron presidenti rus, Vladimir Putin. Këto akuza janë hedhur poshtë nga Kremlini. /e.a/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd