



Në një kohë kur autoritetet shëndetësore bëjnë thirrje për zbatimin e masave për parandalimin e përhapjes së COVID, ministrja e kabinetit qeveritar, Elisa Spiropali duket se ka gjetur një formë mjaft të gabuar për të bërë fushatë.
Deputetja socialiste është takuar me dy të moshuar, Sali dhe Lirie Koleci në banesën e tyre në Kamzë duke ndarë edhe foto në rrjetet sociale.
“Kamzë, Kënaqësi e vërtetë biseda me familjen e madhe Koleci. E vërteta e vetme mes dy kohëve, – thonë ata, është se asnjëherë më shumë se sot, Kamza nuk ka parë investime të tilla transformuese.
Na treguan edhe peripecitë që iu deshën për të përfituar lejen e legalizimit, ndërsa sot ata mund ta gëzojnë pronën e tyre të ngritur me mund e punë falë një administrate që i përgjigjet qytetarit pa i parë teserën siç bënte dje grupi i qametit që Kamzën e sundonte, nuk e qeveriste”, ka shkruar Spiropali krah fotos.
Kjo nuk është hera e parë që zyrtarë të lartë të mazhorancës shkelin rregullat anti-Covid. Para pak ditësh u publikua në rrjetet sociale një foto e zv/ministres së Shëndetësisë, Mira Rakacolli në një aktivitet të partisë në Tiranë me më shumë se 14 persona në sallë.
Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve nuk u gjobit nga policia për masat që kishte vendosur vetë. /e.a/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





