
Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledjan Llatja është paditur në Prokurorinë e Posaçme kundër krimit dhe korrupsionit, SPAK, nga Partia Demokratike.
Përmes Sekretarit të Përgjithshëm Gazment Bardhi, PD e akuzon kryebashkiakun Llatja për shpërdorim detyre.
“Bëhet fjalë për kontratën e partneritetit publik privat që i mundëson kompanisë private ndërtimin e Kullave në lulishten pranë Bashkisë së Elbasanit”, thekson PD.
Sipas Partisë Demokratike, me veprimet e kryetarit të Bashkisë Elbasan, është favorizuar kompania private, duke falur tokë publike për ndërtime në qendër të qytetit.
“Nëpërmjet veprimeve dhe mosveprimeve të paligjshme, kryetari i Bashkisë Elbasan, ka dëmtuar interesin publik, duke i shkaktuar një dëm të madh ekonomik Bashkisë Elbasan, në të paktën 8.3 milionë euro, duke konsumuar elementët e veprës penale “shpërdorim i detyrës”,- thuhet në kallëzimin e Partisë Demokratike.
“Konkretisht, në kallëzimin penal provohet se nga zbatimi i kontratës së partneritetit publik privat Bashkia po përfiton vetëm 2648 m2 sipërfaqe të re ndërtimi, ndërkohë që duhet të kishte përfituar 14 560 m2. Në këtë mënyrë, institucioni i Bashkisë ka humbur një sipërfaqe prej 11, 912 m2, ose rreth 8.3 milion euro”, thekson kallëzimi i PD. /e.a/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





