Transmetuar më 01-02-2021, 14:55

Zv/ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, është përpjekur të shpjegojë edhe foton e publikuar në media, ku ajo shfaqej në një mbledhje të PS pa ruajtur distancën dhe në shkelje të masave anti-Covid të hartuara nga vetë ajo, si kryetare e Komitetit të Ekspertëve.

Fillimisht Rakacolli nuk u përgjigj, duke përsëritur apelin e vazhdueshëm për zbatimin e masave për vendosjen e maskave dhe ruajtjen e distancës sociale.

Por, pas insistimit të gazetarëve, ajo u shpreh se në mbledhjen ku mori pjesë, nuk kanë qenë më shumë se 14 persona, duke theksuar se fotoja është shkrepur në një moment kur disa po dilnin dhe disa po futeshin, duke bërë të duken si shumë njerëz.

Ajo tha, se ka reaguar gjatë kohës kur ka qenë në mbledhje, duke i tërhequr vëmendjen të pranishmëve.

“Nuk mundet që të mbahet zbatimi i masave vetëm nga kontrollet. Fakti që njerëzit nuk i respektojnë masat, është nga mungesa e një ndërgjegjësimi. Sa i takon atij rasti, ai ka qenë një incident i izoluar. Ju e patë që nuk janë më shumë se 14 veta. Foto është marrë në fund të takimit, kur po vinin edhe të tjerë. Ajo ishte një foto dhe nuk mbetet për të shpjeguar gjë tjetër. Sa filloi aktiviteti ishin më pak veta. Kur e kam vënë re, kam reaguar vetë aty pa dalë foto akoma".

Lidhur me shkeljet e publikuara në rrjet nga personazhe publike, zv/ministrja tha se policia ka vendosur gjoba. /e.a/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd