Transmetuar më 01-02-2021, 10:59

Nën masa të rrepta sigurie, Emiljano Shullazi është nxjerrë ditën e sotme nga qelia e posaçme e regjimit “41 bis” dhe është dërguar për një vizitë mjekësore në QSUT.

Burime thonë se Shullazi ka shfaqur probleme shëndetësore, por për momentin nuk bëhen të ditura më shumë detaje.

Pak ditë më parë në spitalin e Burgut në QSUT, u dërgua edhe, Dritan Dajti, i akuzuar për vrasjen e katër policëve në vitin 2007.

Sakaq, Emiljano Shullazi njihet nga drejtësia shqiptare si pjesë e një bande të rrezikshme kriminale dhe akuzohet për disa vepra penale: “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie”, “Kanosje për shkak të detyrës”, “Shkatërrim prone me eksploziv”, “Grup i strukturuar kriminal” si edhe “Veprime në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.

Në nëntor të vitit 2018, Gjykata e Krimeve të Rënda shpalli fajtor Emiljano Shullazin për “përvetësim pasurie”, “kërcënim”,  dhe “grup të strukturuar kriminal” dhe u dënua me 14 vjet burg.

Bashkëpunëtori i tij, Gilmando Dani u dënua 12 vjet burg, Endrit Qyqja dhe Endrit Zela me nga 10 vjet dhe Blerim Shullazi me 9 vjet burg.

Që prej korrikut të shkuar, Shullazi, së bashku me anëtarë të grupit të tij, i janë nënshtruar regjimit të posaçëm të izolimit në qeli, i cili ndryshe quhet edhe "41 bis", duke pasur reduktim të takimeve me të afërmit apo familjarë të tyre, reduktim të telefonatave, si dhe vëzhgim 24 orë me kamera sigurie.

Me izolimin "41 bis", çdo i dënuar, do të ketë kufizim të të drejtave, me qëllim parandalimin e kontakteve që ata kanë me organizatën kriminale, ku bëjnë pjesë apo me organizata të tjera aleate; konfliktet e mundshme me elementë të organizatave kundërshtare; si dhe ndërveprimin me të burgosurit apo të paraburgosurit e tjerë, që i përkasin të njëjtës organizatë ose të organizatave të tjera me të cilat ata bashkëpunojnë. /e.a/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd