Maqedonia e Veriut ka regjistruar viktimën e parë nga varianti "britanik" i Covid-19, raportojnë mediat lokale.
Ndërkohë që në vend janë raportuar edhe dy raste të reja të këtij varianti. Lajmi është bërë i ditur në rrjetin e tij social, nga mjeku Goran Kungulovski, nga Laboratori për Gjenetikë dhe Mjekësi të Personalizuar.
Rasti i parë u konfirmua pozitiv me variantin e ri në 4 janar. Rasti i dytë është raportuar në 18 janar, ndërsa pacienti la spitalin tre ditë më parë.
Ndërkohë, në vend po shikohet mundësia nëse ka më shumë të infektuar me variantin e ri, pasi është shumë më i lehtë transmetimi i tij në popullatë.
Mjekët paralajmërojnë se për shkak se transmetueshmërisë së madhe, dyshohet s virusi do të bëhet mbizotërues nëMaqedoni pas disa muajsh, si në shumë vende të tjera të botës.
Kosova
Ditët e fundit, autoritetet shëndetësore në Kosovë, kanë konfirmuar se, nga analizat e kryera, 3 persona kanë rezultuar të infektuar me variantin e ri të këtij virusi.
Ishte ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, i cili tha se janë dërguar 30 mostra për testim në Berlin, nga ku 3 prej tyre kanë rezultuar pozitivë me variantin "britanik".
“Ditëve të kaluara, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, ka dërguar 30 mostra për testim në Berlin të Gjermanisë me qëllim të hulumtimit, rreth pranisë së varianteve të reja të koronavirusit në Kosovë, pas shfaqjes së tij në më shumë se 70 vende të tjera të botës. Nga interesimi ynë i përgjithshëm, rezultatet e këtyre analizave kanë treguar se tri mostra kanë rezultuar pozitivë me variantin britanik B117”, – tha Zemaj. Prej datës 14 dhjetor, Kosova ka pezulluar fluturimet me Britaninë e Madhe.
Shqipëria
Në këtë mënyrë, ngushtohet edhe më tepër zona e sigurisë dhe rriten dyshimet se virusi “anglez” mund të ketë mbërritur edhe në vendin tonë, por për shkak të mungesës së kapaciteteve mjekësore për të identifikuar variantin e ri, kjo mbetet ende një pikëpyetje pa përgjigje.
Autoritetet shëndetësore janë shprehur kontradiktore lidhur me variantet e reja, por ajo që mbetet fakt, është se nuk ka kapacitete testuese për të identifikuar mutacionet e virusit dhe për të kuptuar nëse bëhet fjalë për virusin "britanik", atë "brazilian" apo "afrikano-jugor".
Shqetësimi për këto variante të reja, të cilat po përhapen me shpejtësi, kanë të bëjnë edhe me shkallën e lartë të vdekshmërisë, gati 30 për qind më e lartë.
Lidhur me këtë situatë, nuk ka pasur asnjë masë tjetër shtesë, përveç asaj të pezullimit të fluturimeve me Britaninë e Madhe që prej muajit dhjetor. /e.a/noa.al/
Foto ilustruese
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd