Transmetuar më 26-01-2021, 14:23

Një shqiptare 101-vjeçare kaloi pa probleme koronavirusin në Itali. Pas infektimit të familjarëve të saj në Udine, edhe e moshuara Bajame Goxhabelli, rezultoi pozitive në 31 dhjetor të vitit 2020.

Pavarësisht rrezikut të madh, gruaja me mbi një shekull jetë, tregon për "A2" se e kaloi lehtë Covidin dhe pas dy javësh rezultoi negative.

“E kalova pa problem Covidin, ia hodha për bukuri”, deklaron ajo. Ashtu si  misteri i këtij virusi, po aq i habitshëm është dhe fakti që 101-vjeçarja e kaloi Covidin në shtëpi dhe vetëm me paracetamol.

Familjarët e saj thonë se nëna e tyre nuk vuan nga asnjë sëmundje dhe nuk ka përdorur asnjëherë ilaçe gjatë jetës së saj.

“Edhe nëna u prek nga koronavirusi, por me shumë pak probleme. Me pak temperaturë, me takipirina dhe me ushqim të mirë e kaloi. Nuk ka vuajtur nga asnjë sëmundje dhe nuk ka përdorur ilaçe gjatë jetës së saj. Nëna ka 7 fëmijë, 15 nipër e mbesa dhe 26 stërnipër e mbesa”, – tregon një nga mbesat e saj.

Shqiptarja 101-vjeçare nga Korça, ka lindur në 12 mars të vitit 1920 dhe pas 100 vjetësh nga gripi spanjoll, përjetoi pandeminë e Covid-19. /e.a/noa.al/