Transmetuar më 26-01-2021, 13:08

Nga atentati me armë zjarri sot në Vlorë, mësohet se ka mbetur i plagosur shtetasi Marion Mitro. Objektivi i plumbave, ka qenë i dënuar më parë si pjesë e "bandës së tritolit" të Julian Sinanajt dhe i dyshuar si porositës i vendosjes së tritolit në makinën e ish-prefektit të Vlorës, Besnik Dervishaj, e cila u zbulua para hyrjes në selinë e kryeministrisë, ku ai kishte shkuar për një takim.

Emri i Mitros ka dalë fillimisht nga i penduari i drejtësisë, Ndriçim Gjokona në vitin 2014, i cili zbërtheu "grupin e tritolit" të drejtuar nga i dënuari Julian Sinanaj.

Për këto ngjarje dhe vendosjen e tritolit ndaj ish-prefektit Dervishi, Mitro u dënua me 8 vite burg dhe mësohet se ai ka lënë qelinë rreth një vit më parë.

39-vjeçari, përveçse ka shërbyer si nyje lidhëse mes biznesmenëve dhe vrasësit me pagesë, Julian Sinanaj, dyshohet se porositi edhe atentatin që mbeti në tentativë ndaj prefektit të Vlorës. Pjesë e kësaj dosje, ka qenë edhe Erjon Mëhillaj, i cili vrau veten në burg.

Mësohet se Mitro ka marrë dy plumba, njërin në kokë dhe tjetrin në krah. Pas atentatit ai është dërguar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Pas ngjarjes, policia ka gjetur të djegur një mjet në rrugën Vlorë-Selenicë. /e.a/noa.al/