Transmetuar më 25-01-2021, 22:17

Ambasadori italian në Shqipëri, Fabrizio Bucci, i bëri sot thirrje drejtësisë të flasë për aferën e dyshuar të korrupsionit kriminal me përfshirje eksponentë politikë të lartë në Shqipëri dhe elementë kriminalë në Itali.

Bucci reagoi në lidhje me përgjimet telefonike të Antimafias italiane, ku një grup kriminal thotë se ka kontakte me politikanë të nivelit të lartë në Tiranë.

“Italia është dhe do të jetë gjithmonë, përkrah institucioneve të Republikës së Shqipërisë në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Mbështetje maksimale autoritetit gjyqësor shqiptar për shqyrtimin e plotë të çdo episodi të korrupsionit apo të paligjshmërisë, nga cilido qoftë kryer dhe prej ngado rrjedh", thotë ambasadori.

Duke shtuar se pret që gjyqtarët të bëjnë punën e tyre në mënyrë të pavarur, kreu i diplomacisë italiane bën thirrje që të gjithë të angazhohen në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit përmes sjelljeve të duhura.