Transmetuar më 18-01-2021, 09:00

Janë zbuluar të tjera detaje në lidhje me zhdukjen e biznesmenit italian, Davide Pecorelli në Shqipëri. Sipas ‘News24’, në makinën e gjetur të djegur në zonën e Gjegjanit, në Pukë, janë zbuluar eshtra dhe janë gjetur disa sende personale, një orë dhe një celular.

Kësisoj, eshtrat të gjetura në mkainën e djegur do të dërgohen në Itali për ekspertizën e ADN-së dhe në këtë mënyrë mund të identifikohen se kujt i përkasin.

Biznesmeni ka udhëtuar nga Tirana në Vlorë, më pas në Shkodër dhe ka qëndruar dy netë në Pukë në hotel.

Burimet konfirmojmë se 45-vjeçari po kthehej në hotel kur është djegur mjeti, ndërkohë që lëvizjet e tij konfirmohen përmes GPS.

Sipas burimeve, mësohet se partnerja e tij shqiptare ka deklaruar se ai kishte interes ta zhvillonte biznesin në Veri të Shqipërisë.

Davide Pecorelli, i cili zotëron një restorant në Lama, bashkia San Xhustio në Itali, ka arbitruar gjatë karrierës së tij sportive në Serinë C italiane, si dhe ka shërbyer si gjyqytar i katërt në Serinë A.

Mësohet se ai është një sipërmarrës, ku përtej hotelerisë ka investuar edhe në sektorin e estetikës, ku ka hapur disa parukeri në Milano.

Ndër të tjera, thuhet se Pecorelli ka investuar dhe në Shqipëri prej një viti si dhe kishte një fëmijë me një grua shqiptare.

Autoritetet shqiptare ende nuk kanë të dhëna të plota për italianin, ndërsa ngjarja po hetohet në vazhdim. Policia ka njoftuar familjarët e tij duke kërkuar të dhëna plotësuese.

Ai mbërriti në Rinas në 7 janar dhe pastaj mori me qira një automjet tip “Skoda”, por fati i tij mbetet ende mister. Një ditë më parë, mediat italiane ngritën alarmin për zhdukjen e tij. /e.a/noa.al/