Transmetuar më 17-01-2021, 11:57

Janë zbuluar detaje të reja nga hetimet në lidhje me skandalin e pak ditëve më parë në spitalin COVID-2 në Tiranë.

Sipas ‘Abc News’, Prokuroria e Tiranës ka shtrirë hetimet edhe mbi personelin mjekësor të spitalit “Shefqet Ndroqi”, ku sanitarja Tire Alldervishi kishte zhvatur vajzën e një pacienteje, duke i marrë 8 milionë lekë për t’i shërbyer nënës së vajzës.

Organi i akuzës ka sekuestruar kamerat e sigurisë së spitalit për të parë se me kë kishte komunikim 58-vjecarja, duke qenë se ajo nuk punonte si sanitare në pavionin ku ishte e shtuar pacientja që humbi jetën nga koronavirusi.

Nga ana e prokurorisë është sekuestruar edhe libri i shërbimeve për të parë se si ishin të ndara turnet dhe kush mjek dhe infermier ka pasur për detyrë të kujdesej për nënën e denoncueses.

Gjithashtu, prokuroria ka marrë kartelën e mjekimeve që i janë bërë pacientes për ta krahasuar me recetat e ilaçeve që i janë kryer, për të vërtetuar nëse i janë dhënë të njëjtat medikamente, që sanitarja i ka dhënë denoncueses.

Po ashtu prokuroria është duke administruar provat për të gjitha denoncimet e bëra publike. Organi i akuzës është duke këqyrur të telefonatat e të tre grave për të faktuar nëse kemi të bëjmë me një skemë të mirëfilltë zhvatjeje.

Pas kryerjes së këtyre verifikimeve organi i akuzës do të nisë me marrjen në pyetje të mjekëve dhe infermierëve.

Kujtojmë, që sanitarja 58-vjeçare e spitalit Covid-2, Tie Alldervishi është vënë në pranga një ditë pas skandalit të publikuar nga emisioni “Stop”, ku dyshohet se ajo ka marrë të paktën 8 milionë lekë të vjetra nga vajza një pacienteje të sëmurë me Covid, e cila më pas ndërroi jetë.

Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë "arrest me burg" pa afat për sanitaren, me akuzën e mashtrimit më shumë se një herë.  /e.a/noa.al/