Transmetuar më 16-01-2021, 09:54

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ditën e sotme ka zhvilluar një takim me të rinjtë e Elbasanit, nga ku  në fokus ishte edhe arsimi i të rinjve dhe të rejave në vendin tonë. Për Kryemadhin ligjin për arsimin e lartë duhet ta shkruajnë universitetet publike po ashtu edhe ato private.

“Një i ri apo e re e arsimuar sigurisht që kërkon standarde në punësim, kërkon një punë të mirëpaguar dhe aq më tepër kur flasim për një rini të arsimuar, aq më shumë është mundësia për të pasur një shtet, një sistem të zhvilluar. Në të kundërt do të kemi një rrënim të jetës së përditshme”, – tha Kryemadhi.

“Mungesa e investimeve në arsim, jo vetëm në sistemin universitar, por edhe në atë të shkollave të mesme apo 9-vjeçare ka sjellë një mosbesim sidomos të familjeve të reja për sistemin arsimor në vend”.

“Platformat online, ju jeni vetë prezent, ne të paktën në takimet që kemi pasur me studentët e Universitetit të Tiranës kanë qenë jofunksionale, sidomos Fakulteti i Mjekësisë, ku nga mbi 300 studentë që ishin në vitin e parë, nuk arrinin të hynin dot më shumë se 100 studentë në platformë”.

“Po ashtu edhe ligji i arsimit të lartë, që po ashtu ka problematikat e veta, që jo vetëm duhet të kenë autonomi universitetet, por edhe pavarësi financiare dhe një buxhet për sa i përket kërkimit shkencor, i cili sot është zero. Ky ligj i arsimit të lartë është një problem i madh, për të cilin ne mendojmë se ky ligj duhet shkruar nga universitetet publike në bashkëpunim me ato private, ku universitetet publike të jenë lokomotiva e këtij procesi, sepse në fund të fundit grupet e interesit, ku janë pedagogët dhe studentët, janë ata të cilët në bashkëpunim edhe me Parlamentin i japin gjithë sistemit arsimor një mundësi për ta zhvilluar”, – tha kryetarja e LSI.

/a.m/NOA.al