Transmetuar më 15-01-2021, 21:32

Kur erdhi në pushtet kryeministri Edi Rama premtoi 300 mijë vende të reja pune.

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali është shprehur se që nga viti 2013 në vendin tonë janë regjistruar 235 mijë vende pune më shumë.

Qeveria sipas saj, i ka mbajtur premtimet dhe në këto 7 vite është bërë më shumë se në 25 vite tranzicioni.

Spiropali tha se  shëndetësia sot është falas dhe spitalet janë në gjendje shumë më të mirë se më parë, madje u shpreh se çmimet e ilaçeve kanë rënë dhe monopolet kanë marrë një goditje serioze.

"235 mijë vende pune janë regjistruar më shumë se në 2013. Për ato  që ne kemi premtuar janë në rrugën e duhur dhe kemi bërë më shumë ne në 7 vite se në 25 vite tranzicioni. Që në 2013 motoja tonë ka qenë të bëjmë shtet”.

“Shëndetësia falas ka vetëm një koncept si matet. Nëse ata që janë të pasiguruar marrin apo jo shërbim shëndetësor parësor. Sot nuk ka asnjë njeri që nuk e merr këtë shërbim. Çmimet e ilaçeve kanë rënë dhe monopolet morën një goditje serioze”.

“Ne besojmë se është e drejtë që të gjithë të marrin trajtim mjekësor. Nëse hyjmë këtu me legjenda se iku uji atëherë është çështje tjetër. Spitalet me gjendjen që kishin në 2013 dhe si janë sot nuk kanë krahasim. Operacionet përpara bëheshin me mjete primitive”, tha Spiropali.

Me këto tregues që dha, Spiropali tha se PS është e sigurt për të kërkuar një mandat të tretë.

/a.m/NOA.al