Transmetuar më 15-01-2021, 14:05

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Rama, pasi ky i fundit në një konferencë për shtyp, u përpoq të justifikojë qeverinë e tij për menaxhimin ndaj situatës së përmbytjeve në vend.

Basha tha se përgjegjësia e përmbytjeve në vend është vetëm e Ramës, pasi sipas tij ai ka tetë vjet që drejton vendin me gënjeshtra dhe mashtrime.

"Njerëzit janë nën ujë dhe ky thotë pse nuk i shihni investimet që kam bërë unë. Ka qenë tetë vjet kryeministër dhe nuk mban asnjë përgjegjësi. Është një dështak! Kjo është e pafalshme, – u shpreh kryedemokrati. – Del pa pikë turpi dhe flet sikur ka ardhur dje në qeveri, ka tetë vjet kryeminisër, nuk e ka përgjegjësinë për këtë situatë dhe ky bën propagandë, tetë vite dështim, tetë vite vetëm duke fajësuar të tjerët".

Basha theksoi se Rama është problemi i vetëm i vendit dhe tha se në 25 prill është momenti i duhur për ta larguar një herë e mirë.

"Ka vetëm një zgjidhje, të bëhemi bashkë dhe ta largojmë. Ka ardhur koha ta largojmë dhe të kemi një qeverisje të përgjegjshme. Një kryeministër serioz. Probleme kanë ndodhur dhe do të ndodhin, detyra është që qeveria të bëjë gjithçka për të ndihmuar njerëzit.  Edi Rama ka dështuar dhe e sotmja ishte një vulë tjetër e trupit në ikje. Edhe këtë tragjedi të përmbytjes po mundohet ta kthejë në një shfajësim për veten e vet. 25 prilli do të jetë një ndryshim rrënjësor” , u shpreh Basha. /e.a/noa.al/