Transmetuar më 15-01-2021, 13:15

Një video e publikuar në mediat sociale ka tronditur autoritetet greke. Sipas mediave të vendit fqinj, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë ka dhënë alarmin orët e fundit, pasi në këto pamje pretendohet se shqiptarët u japin urdhra ushtarëve grekë.

Bëhet fjalë për dy të rinj shqiptarë, njëri prej tyre me banim në rrugën “5 Maji” në Tiranë, të cilët me sa duket kanë rol drejtues në një repart ushtarak.

Pasi flasin shqip në video dhe përshëndesin shokët e tyre në Shqipëri, dy të rinjtë urdhërojnë ushtarët e tjerë të rreshtuar që të veprojnë sipas udhëzimeve të tyre.

“Skuadra, gati tu! Para marsh“, dëgjohet të thotë njëri prej tyre fill pas videos duke qeshur më pas me njëri-tjetrin.

Pas publikimit të videos, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Greqisë ka nisur një hetim në lidhje me rrethanat e xhirimit të saj dhe nëse në të ka fyerje për Greqinë apo ushtrinë vendase.

Mediat greke thonë se videoja e publikuar në Instagram është e diskutueshme, pasi nuk është bërë publike koha kur është postuar.

"Shumë përdorues të internetit, pyesin se si është e mundur që dy shtetas të huaj të jenë në radhët e ushtrisë greke dhe të urdhërojnë ushtarët grekë”, raportojnë mediat greke.

Siç kuptohet nga ajo që thonë, shqiptarët nuk fyejnë Greqinë, thjesht përshëndesin shokët e tyre në Shqipëri, duke i publikuar më pas pamjet në Instagram. Në fakt, janë disa mijëra shqiptarë që përmbushin detyrimin ushtarak në shtetin grek. /e.a/noa.al/