Transmetuar më 15-01-2021, 12:14

Ish-anëtari i të ashtuquajturës "Banda e Durrësit" në vend, Indrit Taullai, është ekstraduar nga Kosova në Shqipëri.

Ai akuzohet nga SPAK për vrasjen e Klodian Saliut dhe si organizator për ekzekutimin e Vajdin Lamajt dhe mikut të tij Artan Arsi, ngjarje të ndodhura në 26 dhe 27 shkurt të vitit 2005.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me vendimin penal të datës 02.12.2020, i ka vendosur masën “Arrest në burg” për konsumimin e veprave penale “Vrasja me paramendim e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal”, “Mbajtja e paligjshme e armëve të zjarrit, me pasoja  të rënda”, “Grupi i strukturuar kriminal”,  “Vrasja në rrethana të tjera specifike ndaj dy ose më shumë personave, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Në lidhje me vrasjen e Vajdin Lamajt, u arrestua pak kohë më parë në Dubai edhe Plaurent Dervishaj, por deri më tani nuk ka asnjë përgjigje nga autoritetet lokale ndaj kërkesës shqiptare për ekstradim.

Akuzat ndaj tyre u ngritën pas dëshmisë së të dënuarit Luftar Reçi, i cili ishte personi që siguroi bombën që u përdor për vrasjen e biznesmenit Lamaj. /e.a/noa.al/